Lifestyle

Nikozia, kryeqyteti i fundit i ndarë në botë: Mes plagëve të luftës dhe shpresës për ribashkim

Dekada pas rënies së Murit të Berlinit, kryeqyteti i Qipros, Nikozia, vazhdon të jetë i ndarë në dy pjesë. Kulla vrojtimi, gardhe me tela me gjemba dhe një zonë tampon e administru nga Organizata e Kombeve të Bashkuara përshkojnë qytetin, duke mbajtur të dukshme gjurmët e një konflikti që ka ndarë komunitete dhe familje.

Përtej mureve të vjetra veneciane, rrugët e Nikozisë të çojnë drejt pikave të kontrollit, ku ndërtesat e rrënuara dhe shtëpitë e braktisura bashkëjetojnë me lëvizjen e përditshme të banorëve dhe turistëve.

Në jug ndodhet pjesa e kontrolluar nga Republika e Qipros, anëtare e Bashkimit Europian. Në veri shtrihet territori i administruar nga autoritetet turkoqipriote, ku është shpallur në mënyrë të njëanshme Republika Turke e Qipros Veriore, e njohur vetëm nga Turqia.

Ndarja e ishullit u thellua në vitin 1974, kur forcat turke pushtuan veriun e Qipros pas një grushti shteti të mbështetur nga junta ushtarake që qeveriste Greqinë. Konflikti shkaktoi zhvendosjen e rreth 150 mijë grekoqipriotëve dhe 50 mijë turkoqipriotëve.

Sot, vizita në Nikozia ofron një pamje të rrallë të jetës në një qytet ku fqinjët kanë mbetur të ndarë për më shumë se gjysmë shekulli.

Historia e një familjeje të zhvendosur

Për udhërrëfyesen grekoqipriote Eleni Ellinas, ndarja e Qipros është një përvojë personale. Ajo ishte vetëm katër vjeçe kur luftimet e detyruan familjen e saj të largohej nga shtëpia në Famagusta dhe të strehohej në një kamp refugjatësh në bregun juglindor të ishullit.

“Jeta në kamp ishte e vështirë. Nëna, motra dhe unë ishim të sëmura. Kur babai erdhi të na shihte dhe pa kushtet e rënda ku jetonim, e kuptoi se duhej të shpëtonte familjen”, rrëfen ajo.

Familja arriti në bazën ajrore britanike të Akrotirit dhe më pas u evakuua drejt Mbretërisë së Bashkuar. Megjithatë, lidhja me Qipron mbeti e fortë. Në vitin 1980, ata u kthyen në ishull dhe nisën një jetë të re në Nikozia.

“Ky qytet na mirëpriti, përqafoi copëzat tona të thyera dhe dalëngadalë u bë vendi ku hodhëm rrënjë të reja dhe krijuam një shtëpi”, shprehet Ellinas.

Në vitin 1983, në veri u shpall shteti i veçantë turkoqipriot. Vetëm në vitin 2003 nisën të hapeshin pikat e kalimit mes dy pjesëve, duke u mundësuar banorëve dhe vizitorëve të kalonin nga njëra anë në tjetrën.

Ellinas e kujton rikthimin e parë në veri si një moment të pazakontë dhe emocional.

“Të kaloje në anën tjetër ishte sikur të hyje drejtpërdrejt në një ëndërr. Tek ecja nëpër ato lagje për herë të parë si e rritur, më dukej sikur po kthehesha në vitet 1970”, tregon ajo.

Në vitin 2019, Ellinas nisi të organizonte ture për të ndarë me vizitorët historinë dhe jetën e qytetit, përtej asaj që zakonisht përmblidhet në libra historie apo tituj lajmesh.