Home Business / Technology IA që mund të zëvendësojë punonjësit? Eksperimenti i Meta-s hap skenarë të rinj për të ardhmen
IA që mund të zëvendësojë punonjësit? Eksperimenti i Meta-s hap skenarë të rinj për të ardhmen
0

IA që mund të zëvendësojë punonjësit? Eksperimenti i Meta-s hap skenarë të rinj për të ardhmen

0
0

Disa javë më parë bëri bujë lajmi për një agjent të inteligjencës artificiale të zhvilluar nga Mark Zuckerberg. Bëhet fjalë për një asistent digjital që ndihmon drejtpërdrejt në punën e themeluesit të Facebook, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi rolin e IA-së në drejtimin e kompanive të mëdha si Meta.

Edhe pse ideja e një kompanie të drejtuar plotësisht nga algoritme mbetet spekulative, ky zhvillim tregon qartë drejtimin që po ndjek Meta: integrimin gjithnjë e më të thellë të inteligjencës artificiale në proceset e përditshme të punës.

Sipas një raportimi të The Wall Street Journal, Meta ka informuar së fundmi punonjësit për një program të ri që regjistron çdo veprim në kompjuter, nga tastet e shtypura te lëvizjet e miut, me qëllim trajnimin e modeleve të ardhshme të IA-së.

Ndërkohë, drejtori teknologjik i kompanisë, Andrew Bosworth, ka bërë të ditur se strategjia e re synon që agjentët e IA-së të kryejnë pjesën më të madhe të punës, ndërsa njerëzit do të kenë rol mbikëqyrës dhe drejtues.

Ky zhvillim vjen paralelisht me njoftimin e Meta-s për të shkurtuar rreth 10% të fuqisë punëtore, afro 8 mijë punonjës, në emër të rritjes së efikasitetit dhe investimeve në IA.

Debati është ndezur edhe online, ku shumë përdorues pyesin nëse punonjësit po “trajnojne” teknologjinë që më pas do t’i zëvendësojë. Një prirje e ngjashme po vihet re edhe në kompani të tjera të mëdha si Amazon, Oracle apo Snap.

Ndër më të drejtpërdrejtët ka qenë Jack Dorsey, CEO i Block, i cili ka lidhur hapur përdorimin e IA-së me reduktimin e stafit dhe krijimin e një modeli të ri pune më të “hollë” dhe efikas.

Por ekziston edhe një skenar tjetër, më pak i diskutuar: krijimi i “binjakëve digjitalë” të punonjësve. Ideja është që IA të riprodhojë aftësitë, sjelljet dhe njohuritë e një individi, duke krijuar një “kopje” që mund të punojë paralelisht me të.

Ky koncept, i përdorur deri tani kryesisht në mjekësi, mund të revolucionarizojë botën e punës. Një punonjës mund të ketë një “version” digjital që vazhdon të operojë edhe jashtë orarit të tij, duke rritur produktivitetin pa e lodhur fizikisht individin.

Megjithatë, ky zhvillim hap një sërë dilemash të reja: kujt i përket binjaku digjital? Punonjësit, kompanisë apo platformës që e menaxhon atë?

Gjithashtu, lind çështja e pagesës. Sipas një analize nga Gartner, në të ardhmen punonjësit mund të kërkojnë kompensim jo vetëm për punën e tyre, por edhe për përdorimin e vazhdueshëm të versionit të tyre digjital, madje edhe pasi të kenë lënë vendin e punës.

Ndërsa inteligjenca artificiale vazhdon të zhvillohet me ritme të shpejta, një gjë është e sigurt: mënyra se si punojmë po ndryshon rrënjësisht. Dhe ndoshta, në një të ardhme jo shumë të largët, “kolegu” ynë më i afërt mund të jetë… vetja jonë digjitale.