Një studim i publikuar në “American Journal of Clinical Nutrition” ka zbuluar një lidhje interesante mes konsumit të mishit dhe jetëgjatësisë, veçanërisht tek gratë shumë të moshuara.
Sipas hulumtimit, gratë nën peshë që konsumonin mish rregullisht kishin deri në 44% më shumë gjasa të jetonin deri në moshën 100-vjeçare, krahasuar me ato që nuk konsumonin produkte shtazore.
Studimi analizoi të dhënat e mbi 5,000 personave mbi moshën 80 vjeç në Kinë, duke krahasuar njëqindvjeçarët me ata që nuk kishin arritur këtë moshë. Studiuesit sqarojnë se bëhet fjalë për një lidhje statistikore dhe jo domosdoshmërisht për një shkak të drejtpërdrejtë.
Ekspertët theksojnë se tek personat nën peshë, proteinat dhe kaloritë e marra nga mishi mund të ndihmojnë në ruajtjen e masës muskulore dhe forcimin e organizmit në moshë të thyer.
Megjithatë, autorët paralajmërojnë se faktorë të tjerë si aktiviteti fizik, mënyra e jetesës dhe kushtet sociale kanë gjithashtu ndikim të madh në jetëgjatësi.
Në përfundim, studiuesit sugjerojnë se një dietë e balancuar, me ushqime bimore dhe sasi të moderuara të produkteve shtazore, mund të jetë çelësi për një plakje më të shëndetshme.