Home Lifestyle Vetmia në SHBA, jo mungesë njerëzish por ndjenja se nuk të sheh askush
Vetmia në SHBA, jo mungesë njerëzish por ndjenja se nuk të sheh askush
0

Vetmia në SHBA, jo mungesë njerëzish por ndjenja se nuk të sheh askush

0
0

Vetmia në Shtetet e Bashkuara nuk lidhet domosdoshmërisht me mungesën e njerëzve përreth, por me ndjesinë e të qenit i padukshëm dhe i pakuptuar. Ky është përfundimi që del nga një studim ndërkombëtar mbi lidhjet sociale, i zhvilluar në tetë vende të botës.

Në intervistat e realizuara me 39 pjesëmarrës amerikanë, shumë prej tyre e përshkruan vetminë si një ndjenjë shkëputjeje edhe kur ndodhesh mes njerëzve. “Nuk ndieja se dikush më njihte vërtet, edhe pse isha pranë tyre dhe përpiqesha”, është shprehur një prej pjesëmarrësve.

Studiuesit vunë re një element të rëndësishëm që mungonte në rrëfimet e amerikanëve: ndjenja e detyrimit moral për të ruajtur marrëdhëniet. Ndryshe nga pjesëmarrësit në vende si India, Maroku, Turqia apo Zimbabve, intervistuarit amerikanë nuk e përmendën pothuajse fare besnikërinë, reciprocitetin apo përgjegjësinë ndaj tjetrit si arsye për të qëndruar në një raport.

Në vend të kësaj, lidhjet shoqërore përshkruheshin si një “përputhje” mes njerëzve, e ndërtuar mbi interesa, vlera, humor dhe mënyra të ngjashme të të menduarit. Por kjo qasje, edhe pse e lirë dhe e sinqertë, mund të krijojë pasiguri, pasi marrëdhëniet mund të ndërpriten sapo njëri prej personave të mos ndiejë më përmbushje.

Studimi thekson gjithashtu se shumë amerikanë e lidhin ndjenjën e përkatësisë kryesisht me marrëdhëniet individuale, ndërsa lidhjet me komunitetin, vendlindjen, besimin, traditën apo identitetin kolektiv shfaqen më pak. Kjo bën që ndarjet, ndryshimi i vendit të punës, një zhvendosje apo humbja e një personi të afërt të përjetohen edhe më rëndë.

Sipas pjesëmarrësve, vetmia mund të ndihet në familje, në punë, mes miqsh apo në një ambient të mbushur me njerëz. Për ta, problemi nuk është prania fizike e të tjerëve, por mungesa e vlerësimit, e lidhjes emocionale dhe e ndjesisë se dikush të sheh e të kupton vërtet.