Eduard Kuçi shpallet në kërkim policor, prokuroria kërkon arrest me burg për Jozefin Markun dhe shoferin e tij
Një zhvillim i ri është shënuar në ngjarjen ku këngëtari Jozefin Marku dhe shoferi i tij, Kristjan Nikolli, janë arrestuar nga Policia.
Prokuroria ka kërkuar që ndaj tyre të vendoset masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.
Ndërkohë, Eduard Kuçi, i dyshuar si personi i sulmuar, është shpallur në kërkim policor për veprën penale të moskallëzimit të krimit. Sipas gazetares Anila Hoxha, Kuçi fillimisht ka deklaruar në polici se ishte përfshirë në një konflikt të thjeshtë, i shkaktuar nga bllokimi i rrugës me automjet.
Megjithatë, pas verifikimeve të kryera nga autoritetet, Policia ka nisur hetim kryesisht dhe ka ngritur akuzën për moskallëzim krimi ndaj Kuçit. Ai kërkohet për të dhënë sqarime lidhur me ngjarjen, ndërsa bëhet fjalë për kërkim policor dhe jo kërkim të urdhëruar nga gjykata apo prokuroria.
Në lidhje me Jozefin Markun, raportohet se ai është thirrur më herët për t’u paraqitur në Polici, por nuk ka pranuar. Pas arrestimit, këngëtari ka deklaruar se ishte mërzitur nga ofendimet që pretendon se i ishin bërë nga Kuçi në rrjetet sociale.
Prokuroria ka ngritur disa akuza ndaj Markut dhe Kristjan Nikollit, ndërsa pritet të caktohet edhe ora e seancës gjyqësore për vlerësimin e masave të sigurisë.
Hetuesit kanë kërkuar gjithashtu një akt-ekspertim mjekoligjor, për të përcaktuar nëse Eduard Kuçi ka pësuar dëmtime trupore nga sulmi i dyshuar. Në fokus të hetimeve është edhe verifikimi i pretendimeve për përdorim të simboleve të Policisë së Shtetit.
Sipas Anila Hoxhës, një prej pikave kryesore të mbrojtjes së Markut mund të jetë fakti që Kuçi nuk ka bërë kallëzim zyrtar për ngjarjen.