Shqipëria është destinacioni i ri evropian për të cilën turistët nuk e dinë se kanë nevojë.
Me këtë titull e përditshmja amerikane ‘Inside Hook’ fton lexuesit të vizitojne vendin tonë dhe liston edhe arsyet se pse Shqipëria nuk do t’i zhgënjejë.
Për një javë pushime ajo rekomandon disa vende për të eksploruar pak nga bukuritë e shumta natyrore. Tirana mbetet ndalesa e parë perfekte duke qënë se kryeqyteti ofron qasje të lehtë si në plazhet në jug ashtu edhe në malet në veri.
Në zemër të Tiranës vizitorët do të ndeshen me Sheshin Skënderbej, i preferuar si nga vendasit ashtu edhe nga turistët. Xhamia e Et’hem Bej e shekullit të XVIII me muralet e saj të mrekullueshme, por edhe Muzeu Kombëtar në skajin tjetër të sheshit janë mes shumë atraksioneve të tjera që ofron kryeqyteti.
‘Inisde Hook’ nuk harron pa përmendur Kalanë e Tiranës, por edhe Bunkart, një bunker i periudhës komuniste i shndërruar në muze. Nga Tirana vizitorët mund të drejtohen drejt Beratit i njohur si qyteti i një mbi një dritareve.
Pjesë e listës së vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2008, Berati është shembull i rrallë i arkitekturës së periudhës osmane. Një qytet i njohur për arkitekturën e tij të shkëlqyer të epokës otomane është po ashtu edhe “qyteti i gurtë” i Gjirokastrës.
Zemra e qytetit është zona e pazarit me rrugët e tij të ngushta e me kalldrëm. Edhe kalaja e Gjirokastrës e ndërtuar në shekullin e IV ofron një pamje piktoreske të qytetit. Po aq i bukur sa Gjirokastra është edhe qyteti i Sarandës ku turistët do të gjejnë plazhe të denja për të pasuruar rrjetet sociale me foto dhe video të bukura.
Linku: https://www.insidehook.com/article/travel/albania-european-holiday
Foto: Freepek.com