Këngëtarja e njohur e muzikës pop Britney Spears është përballur sërish me probleme me ligjin në Shtetet e Bashkuara. Sipas raportimeve nga mediat amerikane, artistja është arrestuar në Kaliforni gjatë natës së të mërkurës, pasi dyshohet se drejtonte automjetin nën ndikimin e alkoolit.
Burime nga autoritetet e zbatimit të ligjit bëjnë me dije se Spears u ndalua nga Patrulla e Autostradës së Kalifornisë rreth orës 21:30, gjatë një kontrolli rutinë në rrugë. Pas ndalimit dhe verifikimeve fillestare, policia vendosi ta prangosë në vendngjarje.
Më pas, këngëtarja u dërgua në paraburgim nga Departamenti i Sherifit, ku mbërriti rreth orës 03:00 të mëngjesit. Sipas të dhënave të regjistrit të të paraburgosurve, ajo qëndroi vetëm disa orë në qeli dhe u lirua rreth orës 06:00 të mëngjesit, pasi përfunduan procedurat fillestare.
Ky incident vjen vetëm pak kohë pasi Spears kishte shënuar një zhvillim pozitiv në një tjetër çështje ligjore. Së fundmi, ajo kishte arritur të siguronte një urdhër të përhershëm mbrojtjeje kundër një burri që ishte paraqitur papritur në rezidencën e saj në Los Anxhelos.
Sipas dokumenteve gjyqësore, bëhet fjalë për një 51-vjeçar që dyshohet se e kishte ngacmuar këngëtaren në rrjetet sociale që prej vitit 2013. Situata u përshkallëzua në vitin 2025, kur ai u arrestua pasi kishte hyrë pa leje në pronën e saj.
Megjithatë, përballjet e Britney Spears me ligjin nuk janë diçka e re. Në vitin 2007, ajo u përfshi në një incident në Los Anxhelos që lidhej me një aksident të dyshuar “përplasje dhe largim nga vendngjarja” me një automjet të parkuar. Artistja u përball me disa akuza kundërvajtëse dhe një dënim me burg, por më vonë çështja për dëmtim u mbyll pasi ajo kompensoi pronarin e mjetit për dëmet e shkaktuara.
Në të njëjtën periudhë, një juri e shpalli të pafajshme për akuzën e drejtimit të automjetit pa një patentë të vlefshme në Kaliforni. Problemet e shumta personale dhe incidentet publike të asaj kohe ndikuan edhe në jetën e saj familjare, duke bërë që Spears të humbiste kujdestarinë e dy djemve të saj me ish-bashkëshortin Kevin Federline.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë mbi arrestimin e fundit të këngëtares dhe nuk është bërë e ditur nëse ndaj saj do të ngrihen akuza të reja në lidhje me incidentin. Ndërkohë, lajmi ka bërë menjëherë xhiron e mediave dhe rrjeteve sociale, duke rikthyer edhe një herë vëmendjen tek jeta personale e artistes.