Chiara Ferragni në një romancë të re? Influencuesja italiane fotografohet me partnerin e përfolur
Influencuesja dhe sipërmarrësja e njohur italiane Chiara Ferragni duket se ka nisur një kapitull të ri në jetën e saj sentimentale. Pas një periudhe të gjatë në qendër të mediave për shkak të ndarjes nga reperi italian Fedez, emri i saj po lidhet sërish me një histori të re dashurie.
Sipas mediave italiane, Ferragni është fotografuar në shoqërinë e një mashkulli të ri gjatë një shëtitjeje në një park në Milano. Bëhet fjalë për Jose Hernandez, një menaxher me origjinë kolumbiane që punon për një kompani shumëkombëshe. Fotografitë janë publikuar nga revista italiane “Chi”, e cila ka zbuluar detaje të reja për raportin e tyre.
Në imazhet e publikuara, dyshja shfaqet duke shëtitur së bashku në një atmosferë të qetë dhe mjaft të afërt, ndërsa i shoqëronte edhe qeni i Ferragnit, Paloma. Sipas raportimeve, momentet e kapura nga paparacët kanë shtuar dyshimet se mes tyre mund të ketë nisur një lidhje romantike.
Media italiane shkruan gjithashtu se Hernandez ka pasur rastin të takojë edhe nënën e influencueses, shkrimtaren Marina Di Guardo, një detaj që shpesh konsiderohet si shenjë se marrëdhënia mund të jetë më serioze sesa një miqësi e thjeshtë.
Revista “Chi” paralajmëron gjithashtu publikimin e fotografive të tjera, ku Ferragni dhe Hernandez thuhet se shfaqen në momente edhe më intime, përfshirë një imazh ku ata puthen. Nëse kjo foto publikohet, pritet të konfirmojë përfundimisht romancën e përfolur.
Sipas raportimeve të mediave italiane, Ferragni dhe Hernandez mund të jenë njohur gjatë pushimeve të Krishtlindjeve në Kolumbi. Influencuesja kishte udhëtuar drejt Amerikës Latine së bashku me motrën e saj Valentina Ferragni dhe një grup miqsh të afërt. Dyshohet se pikërisht gjatë qëndrimit në qytetin bregdetar Kartagjena ata janë takuar për herë të parë dhe kanë filluar të kalojnë kohë së bashku.
Kjo histori e re vjen pas një periudhe të trazuar në jetën personale të Ferragnit. Në vitin 2024 ajo konfirmoi ndarjen nga bashkëshorti i saj, reperi Fedez, me të cilin kishte ndërtuar një nga çiftet më të famshme të showbiz-it italian. Çifti ka dy fëmijë dhe për vite me radhë ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave dhe rrjeteve sociale.
Pas ndarjes nga Fedez, Ferragni u përfol për një lidhje me biznesmenin italian Giovanni Tronchetti Provera, megjithatë sipas mediave italiane ajo marrëdhënie përfundoi në fund të vitit 2025.
Tashmë duket se influencuesja mund të ketë gjetur sërish dashurinë. Megjithatë, deri tani Ferragni nuk ka bërë asnjë deklaratë publike për raportin e saj me Hernandez, duke lënë gjithçka në nivel spekulimesh.
Burimi: https://www.ilgiorno.it/magazine/chiara-ferragni-colombia-nuovo-fidanzato-ixxw402c
Foto: https://www.instagram.com/chiaraferragni/