Këngëtarja e njohur amerikane Katy Perry ka humbur një betejë të gjatë ligjore në Australi për përdorimin e emrit të saj në industrinë e modës, përballë stilistes australiane Katie Perry (tani Katie Taylor). Vendimi u mor nga Gjykata e Lartë e Australisë, e cila i dha të drejtë stilistes pas një procesi gjyqësor që zgjati pothuajse 17 vjet.
Konflikti mes dy grave nisi në vitin 2009 dhe kishte të bënte me të drejtën për të përdorur emrin “Katie Perry” në veshje. Stilistja australiane kishte krijuar markën e saj të modës në vitin 2007 dhe më pas e regjistroi emrin si markë tregtare për rroba, pak kohë pasi këngëtarja publikoi hitin e saj të famshëm “I Kissed a Girl”.
Mosmarrëveshja u intensifikua kur këngëtarja filloi të shiste produkte promocionale si bluza dhe kapuçë gjatë turneve muzikore në Australi. Stilistja pretendoi se këto produkte shkelën markën e saj tregtare dhe në vitin 2019 vendosi ta çonte çështjen në gjykatë.
Në vendimin përfundimtar, gjykata australiane vlerësoi se marka e stilistes nuk shkel ligjin dhe nuk krijon konfuzion te konsumatorët, pavarësisht famës ndërkombëtare të këngëtares. Gjykatësit theksuan gjithashtu se produktet e stilistes nuk dëmtojnë reputacionin e artistes.
Pas vendimit, stilistja e cilësoi procesin si një luftë të gjatë për të mbrojtur bizneset e vogla, ndërsa përfaqësuesit e Katy Perry deklaruan se këngëtarja nuk ka pasur kurrë si qëllim mbylljen e biznesit të saj.
Foto;https://www.instagram.com/katyperry