Lady Gaga anulon koncertin në moment të fundit për shkak të problemeve shëndetësore: “Jam e shkatërruar”
Këngëtarja e njohur botërore Lady Gaga ka anuluar në minutën e fundit koncertin e saj të planifikuar në Montreal, për shkak të një infeksioni respirator që i ka përkeqësuar gjendjen shëndetësore.
Artistja ndau lajmin me fansat përmes një postimi në InstaStory, ku shpjegoi se prej disa ditësh po përballej me probleme shëndetësore dhe, pavarësisht përpjekjeve për t’u rikuperuar, situata ishte rënduar.
“Përshëndetje të gjithëve, më vjen shumë keq t’ju njoftoj se nuk do të jem në gjendje të performoj sonte dhe duhet ta anuloj koncertin. Kam luftuar me një infeksion respirator gjatë ditëve të fundit dhe po bëj gjithçka për t’u çlodhur dhe për t’u rikuperuar,” shkroi ajo.
Sipas Lady Gaga-s, vendimi erdhi pas këshillës së mjekut, i cili i rekomandoi të mos dilte në skenë. Ajo theksoi se nuk ndihej në gjendje të ofronte performancën që fansat e saj meritojnë.
“Gjendja ime është përkeqësuar. Mjeku më ka këshilluar të mos performoj dhe, për të qenë e sinqertë, nuk mendoj se do të mund t’ju jap cilësinë e performancës që meritoni,” shtoi këngëtarja.
Artistja nuk e fshehu zhgënjimin dhe emocionet, duke u kërkuar ndjesë të gjithë fansave që kishin planifikuar të merrnin pjesë në koncert.
“E di sa zhgënjyese është kjo dhe nuk mund të ndihem më keq që ju zhgënjeva. Jam absolutisht e shkatërruar dhe më vjen shumë keq për të gjithë ata që bënë plane për të qenë aty dhe për të më mbështetur,” u shpreh ajo.
Lady Gaga theksoi gjithashtu se performancat e saj të mëparshme në Montreal kishin qenë shumë të veçanta për të, duke i cilësuar si momente “magjike dhe thellësisht domethënëse”.
Nuk është bërë ende e ditur nëse koncerti do të riplanifikohet, ndërsa fansat i kanë uruar artistes shërim të shpejtë në rrjetet sociale.
Burimi: https://www.instagram.com/ladygaga
Foto: https://www.instagram.com/ladygaga