Barcelona raportohet se dëshiron të rikthejë ish-mesfushorin, Thiago Alcantara, në klub nga Liverpool në merkaton e janarit.
32-vjeçari më parë ka përfaqësuar gjigantët katalanas për tetë vjet midis 2005 dhe 2013, duke ardhur nga radhët e tyre në La Masia për të bërë 100 paraqitje për blaugranat në të gjitha turnetë.
Thiago u bë fitues i Champions League, La Liga dhe Kupës së Botës për Klube me Barcelona-n përpara se të shitej te Bayern Munich për 21.5 milionë paund, dhe ai u vendos si një nga mesfushorët më të talentuar teknikisht të Evropës ndërsa ishte në “Allianz Arena”.
Që kur la pas Bundesliga-n për Liverpool-in në vitin 2020, reprezentuesi spanjoll ka luftuar vazhdimisht me dëmtimet, por ka qenë një lojtar jetik për skuadrën e Jurgen Klopp kur ishte në gjendje të mirë, duke shënuar tre gola dhe gjashtë asistime në 97 ndeshje.
Megjithatë, Thiago, i cili ka qenë jashtë fushës që nga prilli për shkak të një dëmtimi të rëndë të kofshës, tani është në gjashtë muajt e fundit të marrëveshjes së tij në “Anfield” dhe për këtë arsye është i lirë të hapë diskutime me ekipet e huaja mbi një marrëveshje parakontrate.
Thiago i mbijetoi rinovimit të mesfushës së Liverpool-it gjatë verës, por pasi nuk ka arritur të bëjë një paraqitje të vetme gjatë sezonit aktual, ende nuk është përcaktuar nëse atij do t’i ofrohet një kontratë e re në Merseyside.
Një kalim në Serie A është diskutuar për 32-vjeçarin, i cili me sa duket ka rënë në sy të Inter-it dhe Juventus-it, por sipas “The Mirror”, Barcelona është e prirur për një ribashkim në janar.
Kampionët në fuqi të La Liga-s kanë menduar të sjellin një mesfushor të ri në “Camp Nou” që kur humbën Gavi-n nga një dëmtim i ACL, që e ka përjashtuar nga fushat për pjesën tjetër të sezonit.
Në nëntor, trajneri i Barçës, Xavi konfirmoi dëshirën e tij për të nënshkruar një zëvendësues për Gavi-n gjatë dritares së janarit, përpara se presidenti Joan Laporta të zbulonte gjithashtu se skuadra e tij ishte në treg për një marrëveshje huazimi.
Pavarësisht vështirësive fizike të Thiago-s, Xavi raportohet se e sheh lojtarin e Liverpool-it si opsionin e përsosur me përvojë për të forcuar radhët e mesfushës së tij në janar, por Klopp nuk ka ndërmend të ndahet me spanjollin.
Trajneri i të kuqëve zbuloi kohët e fundit se Thiago do të rikthehej në stërvitje të plotë këtë muaj dhe ai po mbështet tek 32-vjeçari që të luajë një rol kyç në skuadrën e tij për lavdinë në Premier League, Europa League, FA Cup dhe EFL Cup në gjysmën e dytë të sezonit.
Linku: https://fcbarcelonalatestnews.com/barcelona-keen-to-sign-thiago-alcantara-this-january-164796/
Foto: Freepik.com