14 Shkurti, dita e dashurisë, si festohet Shën Valentini në botë dhe çfarë simbolizon kjo ditë
14 Shkurti, i njohur si Dita e Shën Valentinit, është festa më e përhapur në botë kushtuar dashurisë dhe romancës.
Çiftet në mbarë globin e festojnë këtë ditë duke shkëmbyer dhurata, lule, kartolina dhe duke organizuar darka romantike, ndërsa rrjetet sociale mbushen me dedikime dashurie.
Historia e kësaj dite lidhet me Shën Valentinin, një prift romak i cili, sipas legjendës, kurorëzonte fshehurazi çiftet e reja në kohën kur martesa ishte e ndaluar nga perandori Klaudi II. Për këtë arsye, ai u dënua me vdekje më 14 shkurt dhe më vonë u shpall shenjtor, duke u kthyer në simbol të dashurisë së përjetshme.
Sot, Shën Valentini është kthyer në një festë globale. Në vende si Italia dhe Franca, çiftet zgjedhin restorante romantike dhe udhëtime, ndërsa në SHBA dhe Britani, kartolinat dhe çokollatat janë ndër dhuratat më të preferuara. Ndërkohë në Japoni, janë gratë ato që dhurojnë çokollata për partnerët, ndërsa një muaj më vonë, më 14 mars, burrat ua kthejnë dhuratën.
Në Shqipëri, kjo ditë është përqafuar gjerësisht vitet e fundit. Të rinjtë dhe çiftet organizojnë surpriza, darka romantike dhe shkëmbejnë dhurata simbolike si trëndafila të kuq, parfum apo bizhuteri. Restorantet dhe hotelet ofrojnë paketa speciale për çiftet, duke e kthyer këtë ditë në një moment të veçantë për të festuar dashurinë.
Megjithatë, përtej dhuratave dhe luksit, mesazhi i Shën Valentinit mbetet i thjeshtë: dashuria duhet shprehur çdo ditë, jo vetëm më 14 shkurt.
Linku: https://www.britannica.com/topic/Saint-Valentines-Day
Foto; Freepik.com