Shakira është gati të rikthehet edhe një herë në skenën më të madhe të futbollit botëror. Këngëtarja kolumbiane ka konfirmuar se kënga e saj më e re, “Dai Dai”, do të jetë himni zyrtar i Kupës së Botës 2026.
Lajmi u bë publik nga vetë artistja përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale, ku ajo zbuloi se projekti muzikor do të publikohet më 14 maj. Rikthimi i saj në Botëror ka ngjallur menjëherë entuziazëm te fansat e muzikës dhe futbollit në mbarë botën.
Botërori 2026 do të organizohet nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika, ndërsa FIFA duket se ka zgjedhur sërish një nga artistet më ikonike të historisë së këtij kompeticioni për të sjellë atmosferën festive të turneut.
Kjo është hera e tretë që Shakira lidhet me muzikën e Kupës së Botës. Në vitin 2010 ajo shënoi sukses global me hitin “Waka Waka (This Is Africa)” për Botërorin në Afrikën e Jugut, këngë që u kthye në një fenomen ndërkombëtar. Katër vite më vonë, ajo publikoi edhe “La La La” për Kupën e Botës në Brazil.
Në videon promovuese të “Dai Dai”, e filmuar në stadiumin legjendar Maracana, Shakira shfaqet në një atmosferë festive mes kërcimtarëve dhe topave të futbollit, duke interpretuar fragmente nga kënga e re.
Titulli “Dai Dai”, që në italisht përkthehet si “hajde” ose “ejani”, ka shtuar kureshtjen e publikut për stilin dhe energjinë që do të sjellë projekti.
Fansat kanë nisur të spekulojnë se kënga do të ketë ritme dinamike dhe atmosferë elektrizuese, në linjën e hiteve të mëparshme të Shakirës që kanë shoqëruar Botërorët.
Sipas raportimeve, FIFA synon që “Dai Dai” të kthehet në simbolin muzikor të Kupës së Botës 2026, duke shoqëruar ceremonitë, festimet dhe momentet më emocionuese të turneut.