Vjosa Osmani ka vlerësuar kontributin e këngëtares me famë botërore, Dua Lipa, në promovimin e Kosovës përmes muzikës së saj dhe organizimit të Sunny Hill Festival.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani ka theksuar se Dua Lipa ka bërë më shumë sesa vetëm ta vendosë Kosovën në hartën botërore, duke i afruar njerëzit nga e gjithë bota me vendin përmes artit dhe festivalit të saj.
“Disa njerëz e vendosin Kosovën në hartë. Të tjerë bëjnë që bota të dashurohet me të. Dua Lipa i ka bërë të dyja”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka nënvizuar se, përmes Sunny Hill Festival, Dua Lipa ka sjellë vizitorë nga vende të ndryshme në Prishtinë dhe i ka dhënë Kosovës një hapësirë të veçantë në skenën ndërkombëtare.
“Përmes muzikës së saj, zërit të saj dhe dashurisë së palëkundur për vendlindjen, ajo mbart shpirtin e Kosovës te miliona njerëz në mbarë botën”, është shprehur Osmani.
Në mesazhin e saj, ajo ka falënderuar Dua Lipën për ndikimin te të rinjtë dhe për krijimin e një imazhi pozitiv për Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Ke treguar se Kosova nuk është vetëm një vend në hartë. Është një vend me zemër, zë dhe ëndërr”, ka përfunduar Osmani, duke e shoqëruar postimin me fotografi nga Sunny Hill Festival dhe flamurin e Kosovës.