Angela Martini ka reaguar publikisht pas kritikave dhe aludimeve të shumta që nisën të qarkullonin në rrjetet sociale, pas publikimit të një fragmenti të shkurtër nga një intervistë e saj.
Modelja shqiptare vendosi të sqarojë përmes disa postimeve në Instagram raportin e saj me Kabalën, duke mohuar kategorikisht pretendimet se është konvertuar në Judaizëm apo se është bërë pjesë e ndonjë sekti.
Sipas saj, nga një video vetëm 40 sekonda e gjatë është krijuar një histori që nuk pasqyron aspak atë që ka treguar gjatë intervistës së plotë.
“E kuptoj që emocionet janë të forta, por nga një fragment 40-sekondësh është krijuar një histori e tërë”, shkroi Martini.
Ajo tregoi se interesi i saj për Kabalën nuk është i kohëve të fundit. Modelja ka nisur ta studiojë këtë traditë shpirtërore në vitin 2012 dhe është marrë me të për rreth gjashtë vjet.
“Nuk e fillova papritur në vitin 2026 për të tërhequr vëmendjen. Nuk u konvertova, nuk ndryshova fenë, nuk iu bashkova ndonjë sekti dhe as nuk e ‘shita shpirtin tim’”, sqaroi ajo.
Angela theksoi se gjatë rrugëtimit të saj ka eksploruar fusha dhe praktika të ndryshme, mes të cilave astrologjinë, Meditimin Transcendental, mësimet e Paramahansa Yoganandës, Kabalën dhe fuqinë e mendjes. Megjithatë, sipas saj, kjo nuk do të thotë se ka ndjekur verbërisht ndonjë doktrinë.
“Të studiosh Kabalën nuk do të thotë të konvertohesh në Judaizëm, ashtu si eksplorimi i një mësimi shpirtëror nuk përcakton të gjithë identitetin e një personi”, shkroi modelja.
Martini komentoi gjithashtu interpretimet politike që iu bënë deklaratave të saj. Ajo nënvizoi se studimi i një tradite shpirtërore nuk përbën një qëndrim politik dhe as mbështetje për vuajtjet që ndodhin në botë.
“Zemra ime është me njerëzit dhe fëmijët e pafajshëm kudo në botë”, u shpreh ajo.
Në përfundim, modelja kritikoi mënyrën se si një fragment i shkëputur nga konteksti mund të krijojë një perceptim të gabuar për një person. Ajo u bëri thirrje ndjekësve të mos besojnë verbërisht gjithçka që dëgjojnë, por të kërkojnë informacion dhe të krijojnë bindjet e tyre.
“Zemërimi nuk është provë dhe përsëritja e një supozimi nuk do ta kthejë kurrë atë në fakt. Nëse zgjidhni të qëndroni të zemëruar, qëndroni të zemëruar. Unë zgjedh të qëndroj e informuar”, përfundoi Angela Martini.
Burimi;https://www.youtube.com/watch?v=NKDIKv_hLcw