Ismaili kujtoi kohën kur fliste për të drejtat e grave në një shoqëri ku qëndrime të tilla ndeshnin kundërshtim. Ajo tha se përplasjet nuk mbetën vetëm në nivel kritikash. “Po flas për kërcënime, po flas për mallkime, po flas për të shara deri te sulmet fizike”, u shpreh artistja, duke e përshkruar si të rrezikshme atë periudhë të jetës së saj.
Një vend të rëndësishëm në rrëfimin e saj zuri pavarësia e gruas. Sipas këngëtares, një grua që arrin të jetë e pavarur ka fituar një pjesë thelbësore të lirisë së saj. Ismaili e lidhi këtë bindje me qëndrimet që ka mbajtur publikisht gjatë karrierës, edhe kur ato kanë shkaktuar kundërshtime. Ajo tha se vazhdon të përballet me keqkuptime për mënyrën si mendon dhe shprehet.
Artistja foli edhe për skenën, nga e cila, siç tregoi, është përpjekur të shkëputet, por nuk ka mundur të qëndrojë larg muzikës. Duke reflektuar mbi katër dekada karrierë, ajo tha se performancat e saj shpesh janë quajtur provokuese, ndërsa për të çdo detaj ka pasur një mesazh dhe ka qenë i menduar në funksion të një kauze.
Në intervistë, Ismaili vlerësoi edhe rolin që Shqipëria ka pasur në rrugëtimin e saj. Ajo tha se është ndier e përqafuar si artiste këtu dhe se mbështetja e marrë i ka dhënë forcë të vazhdojë. Pas gjithë viteve në skenë, këngëtarja nuk e sheh karrierën e saj si një kapitull të mbyllur.