Home ShowBiz A po e dëmton inteligjenca artificiale aftësinë tonë për të menduar? Ekspertët japin përgjigjen
A po e dëmton inteligjenca artificiale aftësinë tonë për të menduar? Ekspertët japin përgjigjen
0

A po e dëmton inteligjenca artificiale aftësinë tonë për të menduar? Ekspertët japin përgjigjen

0
0

Me përhapjen e shpejtë të inteligjencës artificiale në jetën e përditshme, gjithnjë e më shumë njerëz po i drejtohen chatbot-ëve si ChatGPT për të shkruar ese, analizuar të dhëna, përgatitur letra motivimi apo për të zgjidhur probleme të ndryshme. Megjithatë, ekspertët po ngrenë pyetjen nëse ky komoditet po ndikon negativisht në aftësitë tona për të menduar në mënyrë kritike.

Sipas studiuesve, delegimi i detyrave tek inteligjenca artificiale mund të bëjë që truri ynë të angazhohet më pak në procese komplekse të të menduarit, duke rrezikuar zhvillimin e aftësive njohëse dhe të zgjidhjes së problemeve.

Një studim i publikuar nga Instituti i Teknologjisë në Massachusetts (MIT) tregoi se personat që përdornin ChatGPT për të shkruar ese shfaqnin aktivitet më të ulët në zonat e trurit që lidhen me përpunimin kognitiv, krahasuar me ata që e realizonin detyrën pa ndihmën e inteligjencës artificiale.

Sipas studiuesve, sa më shumë besim të kenë përdoruesit tek aftësitë e AI për të kryer një detyrë, aq më pak angazhohen në të menduar kritik. Për këtë arsye, ata theksojnë nevojën për të studiuar më tej ndikimin afatgjatë të teknologjisë në procesin e të nxënit.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se panorama nuk është bardh e zi. Dr. Alexandra Tomescu, specialiste e inteligjencës artificiale gjenerative në Oxford University Press (OUP) dhe bashkautore e një studimi mbi përdorimin e AI nga nxënësit, shprehet se teknologjia ka sjellë edhe përfitime të rëndësishme.

Sipas saj, nëntë nga dhjetë nxënës raportojnë se inteligjenca artificiale i ka ndihmuar të zhvillojnë aftësi si zgjidhja e problemeve, kreativiteti dhe përsëritja e materialeve mësimore. Nga ana tjetër, rreth një e katërta e tyre pranojnë se AI ua ka bërë punën aq të lehtë, sa kanë mësuar më pak gjatë procesit.

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me faktin se rezultatet e prodhuara nga inteligjenca artificiale mund të jenë cilësore, ndërsa përdoruesit nuk arrijnë domosdoshmërisht të kuptojnë përmbajtjen.

“Produktet e tyre janë më të mira, por në fakt të nxënit është më i dobët”, vlerësojnë ekspertët.

Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, ka bërë të ditur se ChatGPT numëron mbi 800 milionë përdorues aktivë çdo javë. Për të nxitur përdorimin më të përgjegjshëm të teknologjisë, platforma ka publikuar edhe një listë me 100 udhëzime (“prompte”) për studentët, me synimin që AI të përdoret si një mjet për të mësuar dhe jo si zëvendësim i të menduarit.

Ekspertët këshillojnë që përdoruesit të kuptojnë mënyrën se si funksionojnë modelet e inteligjencës artificiale, të jenë të vetëdijshëm për mënyrën e përpunimit të të dhënave dhe të verifikojnë gjithmonë informacionin që marrin.