Arbër Hajdari ka qenë i ftuar në emisionin “Ndryshe” në Top Albania Radio, ku ka ndarë detaje nga rrugëtimi i tij profesional, si dhe ka komentuar spekulimet për një përfshirje të mundshme në politikë.
Gjatë intervistës me Elona Duro dhe Salsano Rrapi, Hajdari u ndal fillimisht te angazhimi i tij në drejtimin e një fondacioni dhe roli si opinionist në “Big Brother VIP”, duke theksuar se fokusi i tij kryesor mbetet puna sociale.
I pyetur drejtpërdrejt nëse ka plane për t’u përfshirë në politikë, ai u shpreh se në njëfarë mënyre tashmë është pjesë e saj, por në një dimension tjetër.
“Unë me politikë merrem, me politikë sociale,” u shpreh Hajdari, duke theksuar se aktiviteti i tij lidhet me projekte konkrete që synojnë të sjellin ndryshim në komunitet.
Megjithatë, ai theksoi se ende nuk ka marrë një vendim për të hyrë zyrtarisht në politikë, pasi aktualisht është i fokusuar në realizimin e disa projekteve madhore.
“Kam disa projekte kombëtare që kanë shumë nevojë për angazhimin tim për disa vite. Nuk mund ta parashikoj se çfarë do të ndodhë më vonë,” tha ai.
Një nga projektet më ambicioze që përmendi është ndërtimi i një strukture për të moshuarit dhe fëmijët, me kapacitet deri në 600 persona, të cilin e konsideron prioritet absolut.
Sa i përket zërave për kandidim në politikë, madje edhe për poste të larta si kryetar bashkie apo kryeministër, Hajdari reagoi me humor:
“Jam bërë 27 herë kryetar bashkie dhe 14 herë kryeministër nga njerëzit,” tha ai me ironi, duke shtuar se këto janë më shumë dëshira apo perceptime të publikut.
Në përfundim, ai theksoi se për momentin mbetet i përkushtuar ndaj punës që bën dhe nuk ka një vendim konkret për të ardhmen politike, duke lënë gjithçka të hapur për vitet në vijim.
Burimi:https://www.instagram.com/arberhajdari/?hl=en
Foto;https://www.instagram.com/arberhajdari/?hl=en