Sy artificialë për robotët, të frymëzuar nga njeriu
Sy artificialë të frymëzuar nga syri i njeriut po zhvillohen për robotët dhe sistemet e drejtimit automatik të mjeteve. Këta sensorë do të jenë në gjendje të përshtaten me ndryshimet e shpejta të dritës dhe janë përshkruar në revistën shkencore “Nature Communications”, si rezultat i një bashkëpunimi mes disa universiteteve kineze.
Pavarësisht se automjetet me drejtim autonom dhe robotët përdorin sisteme telekamerash shumë të avancuara dhe inteligjencë artificiale për të analizuar mjedisin përreth, ato nuk janë gjithmonë të besueshme në kushte me ndryshime të mëdha ndriçimi, si kontrasti mes një qielli të errët dhe dritave të mjeteve të tjera.
Për të kapërcyer këto kufizime, studiuesit kanë zhvilluar një teknologji të re që përdor sensorë të frymëzuar nga neuronet.
Karakteristika e tyre kryesore është aftësia për të matur atë që ndodh në mjedisin e jashtëm dhe njëkohësisht të ruajnë të dhënat e fundit të memorizuara. Ndryshimi kryesor qëndron në përshtatjen dinamike ndaj ndryshimeve të dritës, duke rregulluar transmetimin e sinjaleve elektrike sipas kushteve të momentit, ndryshe nga sistemet aktuale që funksionojnë vetëm me skenarë statikë.