Këngëtarja e njohur Filloreta Raçi, e njohur si Fifi, ka ndarë një rrëfim të sinqertë dhe emocional për përvojën e saj të mëmësisë, gjatë një interviste në podcastin “Mam” të moderuar nga Orinda Huta.
Artistja tregoi se gjatë shtatzënisë kishte një dëshirë të fortë për të sjellë në jetë një vajzë, dhe momenti kur mësoi gjininë e fëmijës ishte i mbushur me emocione të forta.
“Kam qenë në avion nga Boston në New York kur më erdhi njoftimi nga gjinekologia. I thashë ‘të lutem mos më thuaj që është çun’, dhe ajo më tha ‘zemra është çun’. Kam qarë 40 minuta në aeroport, sepse e doja shumë një vajzë,” rrëfeu Fifi.
Ajo shpjegoi se dëshira për një vajzë lidhej edhe me faktin që partneri i saj, Adis Patushi, kishte tashmë një djalë nga një lidhje e mëparshme, dhe ajo donte që ai të përjetonte për herë të parë lindjen e një vajze me të.
Megjithatë, këngëtarja theksoi se ky ishte një reagim i çastit dhe se ndjenjat e saj ndryshuan plotësisht me kalimin e kohës, sidomos pas lindjes së djalit të saj.
Sot, Fifi është nënë e Theo Mal, të cilin e konsideron bekimin më të madh në jetën e saj. Ajo e përshkroi mëmësinë si një përvojë që tejkalon çdo pritshmëri dhe emocion fillestar.
Rrëfimi i saj është pritur me shumë reagime në rrjet, duke prekur shumë ndjekës me sinqeritetin dhe ndjeshmërinë që ajo ndau publikisht.