Sara Gjordeni reagon pas krahasimeve me Argjirën: “Njerëzit kërkojnë atë me të cilën janë mësuar”
Moderatorja dhe ish-banorja e “Big Brother VIP”, Sara Gjordeni, ka vendosur të flasë hapur për krahasimet që i bëhen vazhdimisht me Argjirën në rrjetet sociale. Përmes një bisede virtuale me ndjekësit në Instagram, ajo tregoi se si i përjeton komentet dhe ndryshimet që ndodhin në ekran.
Gjithçka nisi pas një pyetjeje nga një ndjekës gjatë rubrikës “Ask me a question”, ku i shkruhej: “Të mërzisin që të krahasojnë me Argjirën? Unë personalisht mendoj që ti ke më shumë ‘grintë’.”
Sara zgjodhi të përgjigjej me qetësi dhe pa polemika, duke theksuar se krahasimet janë të zakonshme sa herë ndryshojnë moderatorët në një program televiziv.
“Opo hiç. I prisja, kështu ndodh me çdo program ku ndërrohen moderatorët. Një kohë të gjatë ri-kërkohet i vjetri, është në natyrën e njeriut të kërkojë gjënë me të cilën është truri më familjar. Është instinkt i pavullnetshëm i lindur me ne”, u shpreh ajo.
Moderatorja shtoi se tashmë është distancuar nga opinionet dhe komentet që qarkullojnë online, duke lënë të kuptohet se nuk dëshiron të ndikojë emocionalisht nga diskutimet në rrjete sociale.
“Sa për komentet nuk e di a e keni vënë re sa jam distancuar nga opinionet se nuk më intereson më fare po fare se ç’a flitet”, përfundoi Sara.
Reagimi i saj është komentuar gjerësisht nga ndjekësit, ku shumë prej tyre kanë vlerësuar mënyrën e matur me të cilën ajo trajtoi krahasimet dhe presionin që shpesh shoqëron figurat publike në ekran.