Amos Zaharia rrëfen momentin që i ndryshoi jetën: Menduam se ishte kamerë e fshehtë, nuk dija asgjë
Aktori i njohur shqiptar, Amos Zaharia, ka bërë një nga rrëfimet më personale të karrierës së tij gjatë një interviste në podkastin e Grida Dumës. Për herë të parë, ai ka folur hapur për momentin kur mori lajmin që tronditi familjen e tij dhe për mënyrën se si e përjetoi një situatë që u bë menjëherë objekt i vëmendjes publike.
Zaharia tregoi se në atë periudhë ndodhej në Prishtinë, ku po xhironte një film dhe po jetonte një nga eksperiencat më emocionuese profesionale të jetës së tij. I përfshirë totalisht në projekt dhe duke punuar krah një aktori të Hollywood-it, ai tha se nuk kishte asnjë dijeni për atë që po ndodhte në Shqipëri.
“Kam qenë në Prishtinë, duke xhiruar një film dhe entuziazmi im ishte përtej normales. Më vjen një telefonatë nga një numër i panjohur dhe e hap. Më del një grua që më pyet se çfarë mendoja për atë që kishte ndodhur. Nuk e kisha idenë më të vogël se për çfarë bëhej fjalë”, tregoi aktori.
Pas telefonatës, ai kontaktoi menjëherë nënën e tij, e cila po ashtu nuk kishte asnjë informacion mbi ngjarjen. Sipas Zaharisë, reagimi i parë i tyre ishte mosbesimi.
“Mami më tha: ‘Mos është kamera e fshehtë’. Të dy menduam se ishte ndonjë tallje. Vetëm më vonë, pasi bëri telefonatat e duhura, kuptuam se gjithçka ishte e vërtetë”, u shpreh ai.
Gjatë intervistës, Grida Duma e pyeti edhe për faktin se reagimi i tij publik në atë moment ishte interpretuar si tepër i ftohtë. Megjithatë, aktori shpjegoi se nuk bëhej fjalë për mungesë emocionesh, por për një gjendje të fortë konfuzioni.
“Kur e dëgjova më pas bisedën, mendova me vete: ‘Si ka mundësi që kam tingëlluar kaq i ftohtë?’. Por nuk ishte ftohtësi. Ishte konfuzion. Nuk po kuptoja çfarë po ndodhte”, tha ai.
Amos Zaharia foli edhe për pritshmëritë që publiku kishte ndaj tij në atë periudhë, duke pranuar se shumë njerëz mendonin se duhej të kishte reaguar me agresivitet. Megjithatë, ai e përjashtoi kategorikisht një qasje të tillë.
“Nuk besoj se agresiviteti do të kishte qenë përgjigjja e duhur. Këto janë situata që ndodhin në çdo shoqëri. Dy njerëz lidhen me njëri-tjetrin, funksionojnë për aq kohë sa funksionojnë dhe kur nuk shkon më, nuk kanë pse të vazhdojnë së bashku. Nuk gjej asnjë arsye pse duhej të isha agresiv”, deklaroi ai.
Në fund, aktori ndau edhe filozofinë e tij për përdorimin e forcës, duke theksuar se ajo duhet të përdoret vetëm për të mbrojtur familjen dhe njerëzit e dashur.
“Nëse Perëndia i ka dhënë forcën mashkullit, ia ka dhënë për të mbrojtur familjen e vet. Vetëm kur jeta e njerëzve që do është në rrezik, atëherë ka kuptim përdorimi i forcës”, përfundoi Amos Zaharia.