Botoxi, një nga trajtimet estetike më të përdorura në mbarë botën për reduktimin e rrudhave, është kthyer së fundmi në qendër të debatit pas disa pretendimeve virale në rrjetet sociale që sugjerojnë se substanca mund të “udhëtojë” drejt trurit dhe të ndikojë në funksionet njohëse.
Sipas një raportimi të publikuar nga media britanike The Independent, ekspertët theksojnë se nuk ekzistojnë prova të forta shkencore që përdorimi estetik i Botox-it në dozat e rekomanduara të shkaktojë dëmtime të kujtesës, inteligjencës apo funksioneve të tjera kognitive.
Botoxi është një formë e toksinës botulinike që vepron duke bllokuar përkohësisht sinjalet nervore që kontrollojnë muskujt. Kjo bën të mundur relaksimin e muskujve të fytyrës dhe zbutjen e rrudhave. Në procedurat estetike, substanca injektohet në sasi të kontrolluara dhe vepron kryesisht në zonën ku aplikohet.
Megjithatë, specialistët kujtojnë se Botox mbetet një produkt mjekësor dhe jo thjesht një trajtim kozmetik. Në raste të rralla, sidomos kur procedura kryhet në mënyrë të gabuar ose me doza të papërshtatshme, efekti i toksinës mund të përhapet përtej zonës së trajtuar.
Shenjat që kërkojnë vëmendje të menjëhershme mjekësore përfshijnë dobësinë muskulare, vështirësi në të folur, gëlltitje apo frymëmarrje. Ndërkohë, studimet që kanë analizuar mundësinë e lëvizjes së toksinës në sistemin nervor qendror mbeten ende në faza kërkimore dhe nuk provojnë se ekziston një rrezik real për përdoruesit e trajtimeve estetike.
Ekspertët paralajmërojnë se sfida më e madhe lidhet me përdorimin e duhur të produktit. Me rritjen e popullaritetit të procedurave estetike, Botox shpesh perceptohet si një trajtim rutinë bukurie, ndërsa në realitet ai duhet të administrohet vetëm nga profesionistë të licencuar dhe sipas standardeve mjekësore.
Për këtë arsye, personat që po mendojnë të kryejnë trajtimin këshillohen të informohen mirë, të verifikojnë origjinën e produktit dhe të zgjedhin klinika e specialistë të kualifikuar.
Burimi:https://www.independent.co.uk/life-style/health-and-families/botox-brain-health-cognitive-effects-experts-b2771234.html
Foto; Freepik.com