Home Lifestyle Si ta menaxhoni pasigurinë? Neuroshkenca sugjeron disa hapa praktikë
Si ta menaxhoni pasigurinë? Neuroshkenca sugjeron disa hapa praktikë
0

Si ta menaxhoni pasigurinë? Neuroshkenca sugjeron disa hapa praktikë

0
0

Pasiguria është një nga ndjesitë më të vështira për t’u përballuar, sidomos kur e ardhmja duket e paqartë, planet ndryshojnë dhe informacioni që marrim nuk mjafton për të marrë vendime me qetësi.

Sipas një analize të publikuar nga “Psychology Today”, hulumtimet në neuroshkencë tregojnë se pasiguria mund të lidhet me të dhëna të paqarta, zhurmë të jashtme dhe të brendshme, mungesë informacioni ose mënyrën jo të plotë se si truri e përpunon atë.

Ekspertët sugjerojnë që, në vend që të përpiqeni të zgjidhni çdo problem menjëherë, të ndaleni fillimisht dhe të pyesni veten: nga vjen kjo ndjenjë pasigurie?

Kur bëhet fjalë për sinjale të paqarta, si vonesa në përgjigjen e një email-i, paqartësi në punë apo dyshime në një marrëdhënie, rekomandohet të mos i besoni menjëherë interpretimit të parë. Shpesh, truri priret të zgjedhë skenarin më negativ, edhe kur nuk ka prova të mjaftueshme.

Një mënyrë e dobishme është të ndaloni përpara se t’i jepni një kuptim situatës dhe të shqyrtoni alternativa të tjera. Pyetja “çfarë tjetër mund të nënkuptojë kjo?” mund të ndihmojë në uljen e ankthit dhe në krijimin e një perspektive më realiste.

Një tjetër burim i madh pasigurie është zhurma e jashtme. Lajmet e vazhdueshme për inteligjencën artificiale, kërcënimet për vendet e punës, konfliktet dhe katastrofat globale mund ta mbajnë njeriun në gjendje alarmi të përhershëm.

Specialistët theksojnë se është e rëndësishme të jemi të informuar, por jo të ekspozuar vazhdimisht ndaj informacionit shqetësues. Këshilla kryesore është të reduktohen shpërqendrimet e panevojshme, të filtrohet informacioni dhe të fokusohemi tek ajo që ka realisht ndikim në jetën tonë.

Edhe gjendja emocionale luan një rol të madh. Kur një person është i lodhur, i trishtuar, i zhgënjyer apo i mbingarkuar, pasiguria mund të duket shumë më kërcënuese nga sa është në të vërtetë. Sipas të dhënave të cituara në analizë, në shumë raste njerëzit parashikojnë se do të ndodhë diçka e keqe, por këto skenarë nuk realizohen.

Mesazhi kryesor është se pasiguria nuk mund të eliminohet plotësisht, por mund të menaxhohet. Duke rishikuar mendimet e para negative, duke filtruar zhurmën e tepërt dhe duke u kujdesur për gjendjen emocionale, njerëzit mund të ndihen më të qetë edhe në periudha kur e ardhmja nuk është e qartë.