Ofenduan shefin në një grup privat në WhatsApp, gjykata u jep të drejtë shtatë punonjëseve
Shtatë punonjëse të një autoshkolle në Spanjë, të larguara nga puna pasi kishin kritikuar dhe ofenduar drejtuesin në një grup privat në WhatsApp, kanë fituar betejën gjyqësore, sipas Gazetës Shqip.
Konflikti nisi në fund të vitit 2021 dhe lidhej me kalendarin e punës, pushimet vjetore dhe ditët festive. Punonjëset pretendonin se 24 dhe 31 dhjetori duhej të ishin ditë pushimi, në përputhje me marrëveshjen kolektive të sektorit.
Gjatë mosmarrëveshjes, ato krijuan një grup privat ku shprehën pakënaqësitë ndaj punëdhënësit. Njëra prej pjesëmarrëseve ia tregoi atij përmbajtjen e bisedave dhe, në janar të vitit 2022, kompania vendosi t’i pushonte të shtata për arsye disiplinore.
Gjykata e Punës në Palma i cilësoi largimet të pajustifikuara, duke marrë parasysh karakterin privat të komunikimit.
Sipas raportimit, megjithëse mesazhet përmbanin ofendime ndaj drejtuesit dhe personave të tjerë, gjykata i vlerësoi si shprehje pakënaqësie brenda një rrethi të mbyllur.
Gazeta Shqip shkruan se çështja përfundoi deri në Gjykatën Supreme dhe se rezultati përfundimtar ishte në favor të punonjëseve.