Sharon Stone rrëfen rrugëtimin drejt Hollywood-it: Mbërrita në New York me vetëm 50 dollarë dhe një valixhe
Sharon Stone ka ndarë kujtime nga fillimet e saj dhe rrugëtimi drejt suksesit gjatë një bisede në podcastin “IMO”, me Michelle Obama dhe Craig Robinson. Aktorja ka folur për përpjekjet për të siguruar jetesën, sfidat në një industri të dominuar nga burrat dhe mësimet që ka marrë nga mëmësia.
Në një bisedë të sinqertë dhe me humor, Stone është rikthyer te fëmijëria e saj jo të zakonshme në Pensilvani dhe vendimi për të nisur një jetë të re në New York. Ajo ka treguar se mbërriti në qytet me vetëm 50 dollarë dhe një valixhe, përpara se të ndërtonte një karrierë të suksesshme në modeling.
Pas përvojës si modele, Stone e drejtoi vëmendjen drejt aktrimit, duke synuar të gjente vendin e saj në Hollywood. Gjatë intervistës, ajo ka reflektuar mbi atë që iu desh për të depërtuar në rrethet e industrisë dhe për të njohur vlerën e aftësive të saj.
Aktorja ka kujtuar një moment vendimtar në aktrim, që e ndihmoi të kuptonte se ishte e mjaftueshme ashtu siç ishte. Sipas rrëfimit të saj, vetëm dy javë më vonë mori rolin në “Basic Instinct”, filmi që do të ndryshonte përgjithmonë karrierën e saj.
Një tjetër pjesë e bisedës i është kushtuar audicionit për “Casino”. Stone ka treguar se si u shndërrua plotësisht në personazhin që synonte të interpretonte, përpara Robert De Niro-s dhe regjisorit Martin Scorsese.
Përtej roleve që shënuan karrierën e saj, aktorja ka folur edhe për përvojën pas arritjes së famës dhe për mësimet që i ka dhënë të qenët nënë.
Në qendër të rrëfimit të saj qëndron rëndësia e njohjes dhe pranimit të vlerës personale. Nga përpjekjet e para për të mbijetuar në New York te suksesi në Hollywood, Stone e ka lidhur rrugëtimin e saj me besimin te vetja dhe aftësinë për ta mbrojtur këtë besim përballë sfidave.
Burimi;https://www.instagram.com/sharonstone
Foto; https://www.instagram.com/sharonstone