Egli Tako flet hapur për dashurinë: “Vajza duhet të jetë princesha në një lidhje, jo mashkulli”
Egli Tako ka ndarë një nga rrëfimet e saj më personale gjatë një interviste në “Grida Duma Podcast”, ku ka folur për eksperiencën në “Big Brother VIP”, jetën sentimentale dhe mënyrën se si e sheh sot një marrëdhënie.
Ish-banorja e BBVIP u shpreh se përjetimi brenda shtëpisë është i vështirë për t’u kuptuar nga ata që nuk e kanë jetuar vetë.
“Kur hyn aty nuk e di nëse jeta vazhdon jashtë”, tha ajo, duke shtuar se gjatë qëndrimit në format i kishte qëndruar besnike partnerit të saj, pavarësisht paragjykimeve që mund të vinin nga publiku.
Gjatë intervistës, Egli ndau edhe këndvështrimin e saj për dashurinë dhe marrëdhëniet në ditët e sotme. Sipas saj, njerëzit po investojnë gjithnjë e më pak kohë dhe ndjenja te partneri, ndërsa shumë lidhje po ndikohen nga materializmi dhe dëshira për të ekspozuar një stil luksoz jetese.
Një nga deklaratat që tërhoqi më shumë vëmendje ishte mënyra se si ajo e përkufizon rolin e partnerëve në një lidhje.
“Vajza duhet të jetë princesha në një marrëdhënie, jo mashkulli. Këtë duhet ta pëlqejë edhe partneri, sepse e bën më burrë”, u shpreh Egli.
Këngëtarja foli edhe për raportin me trupin e saj, duke zbuluar se ka ndryshuar stilin e jetesës dhe nuk synon më fizikun shumë muskuloz që kishte ndërtuar përmes stërvitjes intensive.
“Më pëlqen trupi që kam tani, më i hollë dhe më femëror”, tha ajo.
Sa i përket jetës sentimentale, Egli pranoi se ndonjëherë i mungon të ketë një partner pranë, sidomos gjatë fundjavave. Megjithatë, ajo theksoi se nuk është e gatshme të qëndrojë në një marrëdhënie vetëm për të mos qenë vetëm.
Sipas saj, një lidhje duhet të sjellë lumturi, respekt dhe qetësi, ndërsa çdo kompromis që cenon mirëqenien personale nuk ia vlen të pranohet.