Pas vitesh përplasjesh dhe betejash në gjykatë, Brad Pitt dhe Angelina Jolie kanë arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit të tyre ligjor lidhur me kantinën e verës “Château Miraval” në Francë, të cilën dikur e zotëronin së bashku.
Lajmi për marrëveshjen e papritur u konfirmua nga përfaqësuesit e dy aktorëve për revistën “People”, të mërkurën, më 25 nëntor.
“Ne kemi arritur një marrëveshje jashtë gjykatës, në interesin më të mirë të familjes sonë, dhe nuk do të bëjmë komente të tjera”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ish-çiftit.
Në të njëjtën deklaratë, ata theksuan gjithashtu se komentet e publikuara në media, të cilat u atribuohen burimeve pranë tyre, nuk vijnë nga asnjëri prej tyre apo nga persona të afërt me ta.
Brad Pitt dhe Angelina Jolie, të cilët kanë së bashku gjashtë fëmijë, Maddox, Pax, Zahara, Shiloh dhe binjakët Vivienne e Knox, u ndanë në vitin 2016, pas 12 vitesh së bashku, përfshirë dy vite martesë. Divorci i tyre u finalizua në dhjetor të vitit 2024, më shumë se tetë vite pasi Jolie kishte paraqitur kërkesën për ndarje.
Megjithatë, konflikti për pronësinë e kantinës franceze të verës vazhdoi edhe pas përfundimit të martesës së tyre.
Përplasja nisi në vitin 2021, kur Angelina Jolie shiti pjesën e saj në biznesin e përbashkët te kompania “Tenute del Mondo”, pjesë e grupit “Stoli”, që merret me prodhimin dhe shpërndarjen e verërave.
Një vit më vonë, Brad Pitt ngriti padi ndaj ish-bashkëshortes, duke pretenduar se ajo kishte shkelur një marrëveshje të mëparshme, sipas së cilës asnjëri prej tyre nuk mund ta shiste pjesën e vet pa miratimin e tjetrit.
Nga ana e saj, Jolie paraqiti një kundërpadi, duke pretenduar se Pitt po zhvillonte një luftë hakmarrëse ndaj saj. Aktorja mohoi se kishte pasur nevojë për miratimin e tij për shitjen e aksioneve dhe refuzoi të dorëzonte disa dokumente, duke iu referuar privilegjit të konfidencialitetit mes avokatit dhe klientit.
Në dokumentet e mëparshme gjyqësore, ekipi ligjor i Jolie pretendonte gjithashtu se Pitt kishte refuzuar t’i blinte pjesën e saj në biznes pasi ajo nuk kishte pranuar të firmoste një marrëveshje konfidencialiteti. Sipas pretendimeve të saj, dokumenti synonte ta detyronte të heshtte lidhur me akuzat për abuzim dhe përpjekjet për ta mbuluar atë.
Këto pretendime lidheshin me një incident të ndodhur gjatë një udhëtimi me avion privat në vitin 2016, ku Pitt u akuzua për sjellje verbalisht dhe fizikisht abuzive ndaj familjes së tij. Autoritetet hetuan ngjarjen, por nuk ngritën akuza penale ndaj aktorit, ndërsa Jolie vendosi të mos ndiqte penalisht çështjen.
Pavarësisht përpjekjeve për zgjidhjen e konfliktit, beteja ligjore vijoi edhe gjatë këtij viti. Në muajin gusht, ekipi i Brad Pitt kërkoi sërish marrjen e dokumenteve financiare dhe të pronave të Angelina Jolie.
Ndërkohë, në qershor, aktori kishte shënuar një fitore ligjore në një çështje të veçantë kundër grupit “Stoli”. Pitt kishte argumentuar se investitorët e kompanisë së shpërndarjes së pijeve alkoolike dhe verërave kishin dijeni të drejtpërdrejtë për shitjen e pjesës së Jolie në kantinën franceze.