Home Business / Technology Si duket një telefon inteligjent i qëndrueshëm?
Si duket një telefon inteligjent i qëndrueshëm?
0

Si duket një telefon inteligjent i qëndrueshëm?

0
0

“Kjo është kamera e telefonit tim”, thotë Bas van Abel, teksa mban ndër duar një komponent të vogël katror.

Sapo e ka hequr atë nga telefoni i tij inteligjent, duke përdorur një kaçavidë të vogël.

“Ka gjithsej tetë komponentë që mund të hiqen dhe zëvendësohen”, thotë ai, ndërsa çmonton me përpikëri të gjithë telefonin, duke e vendosur kamerën së bashku me baterinë, portën USB, ekranin dhe altoparlantin.

Van Abel është bashkëthemeluesi i ndërmarrjes holandeze Fairphone, e cila pretendon se ka ndërtuar “smartphone-in më të qëndrueshëm në botë”.

Por me një produkt kompleks që përmban metale dhe përbërës të rrallë nga e gjithë bota, sa i qëndrueshëm mund të jetë një smartphone?

E themeluar në vitin 2013 në Amsterdam, Fairphone prodhon telefona inteligjentë Android që mund të shkëmbehen, personalizohen dhe riparohen lehtësisht nga pronarët e tyre.

Duke i mundësuar dhe inkurajuar njerëzit që të rregullojnë telefonat e tyre, në vend që t’i hedhin sapo prishet një komponent, Fairphone shpreson të ndihmojë në reduktimin e mbetjeve elektronike.

Mbeturinat elektronike janë rryma e mbetjeve me rritje më të shpejtë në botë. Sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, rreth 50 milionë ton mbeturina elektronike prodhohen çdo vit në mbarë botën, duke peshuar më shumë se të gjithë avionët komercialë të prodhuar ndonjëherë.

Dhe vetëm 20 për qind e këtyre mbetjeve riciklohen.

Mali i mbetjeve elektronike po rritet ndërsa kërkesa për pajisje portative dhe telefona inteligjentë rritet.

Deri në vitin 2050, prodhimi vjetor i mbetjeve elektronike do të dyfishohet në 120 milionë ton, sipas Forumit Ekonomik Botëror.

Në vitin 2022, 5.3 miliardë telefona celularë u hodhën, vlerëson organizata jofitimprurëse belge, Forumi WEEE, që analizon mbetjet elektronike.

Në SHBA, njerëzit zëvendësojnë telefonat e tyre çdo 18 muaj mesatarisht, ndërsa modele të reja me veçori të përmirësuara dalin në treg.

Tani shumica e pajisjeve vijnë si njësi të mbyllura që janë jashtëzakonisht të vështira dhe të shtrenjta për t’u riparuar, madje prodhojnë mesazhe gabimi nëse fiksohen komponentët e dëmtuar.

Por Fairphone dëshiron ta thyejë këtë trend duke shitur telefona që kanë një jetë më të gjatë pune.

“Ne i bëjmë telefonat të riparueshëm në mënyrë që të mund t’i përdorni për një kohë shumë të gjatë”, thotë van Abel.

“Është një llogaritje shumë e thjeshtë: nëse e përdor telefonin dy herë më shumë, prodhon gjysmën e sasisë së telefonave dhe gjysmën e sasisë së mbeturinave”.

Projekti Restart, një organizatë jofitimprurëse në Mbretërinë e Bashkuar, vlerëson se rritja e jetëgjatësisë së një telefoni inteligjent me 33 për qind mund të parandalojë emetimet e karbonit ekuivalente me emetimet vjetore të Irlandës.

Sakaq, qëndrueshmëria qëndron në qendër të misionit të Fairphone.

“Ne përdorim 100 për qind plastikë të ricikluar në të gjithë telefonat tanë dhe ar dhe argjend të tregtisë së drejtë”, thotë van Abel.

Linku: https://www.techradar.com/best/best-rugged-smartphones

Foto: Freepik.com

tags: