Nëse ke vënë re se njerëzit më të rritur zgjohen gjithnjë e më herët, kjo nuk është rastësi. Ekspertët shpjegojnë se ndryshimet në gjumë janë një pjesë natyrale e plakjes dhe lidhen me mënyrën si funksionon trupi ynë me kalimin e viteve.
Një nga arsyet kryesore lidhet me ritmin cirkadian, orën biologjike të trupit që kontrollon gjumin dhe zgjimin. Me moshën, ky ritëm zhvendoset përpara, duke bërë që njerëzit të ndihen të përgjumur më herët në mbrëmje dhe të zgjohen më herët në mëngjes. Ky fenomen njihet si “advanced sleep phase” dhe është shumë i zakonshëm tek të rriturit.
Po ashtu, hormonet që rregullojnë gjumin ndryshojnë. Melatonina, hormoni që na ndihmon të flemë, prodhohet më pak dhe më herët në mbrëmje, ndërsa kortizoli – hormoni që na zgjon ,arrin kulmin më herët në mëngjes. Kjo kombinim e shtyn trupin të zgjohet më shpejt se më parë.
Një tjetër faktor është se cilësia e gjumit ndryshon. Me kalimin e viteve, njerëzit kalojnë më pak kohë në gjumë të thellë dhe më shumë në gjumë të lehtë. Kjo do të thotë se zgjohen më shpesh gjatë natës dhe e kanë më të lehtë të hapin sytë herët në mëngjes.
Ndërkohë, ndikim kanë edhe faktorë të tjerë si problemet shëndetësore, medikamentet apo ndryshimet në stilin e jetës. Më pak aktivitet fizik, më pak ekspozim ndaj dritës natyrale apo një rutinë e paqëndrueshme mund ta prishin ciklin e gjumit dhe të favorizojnë zgjimin e hershëm.
Në përfundim, zgjimi herët me moshën nuk do të thotë domosdoshmërisht se kemi nevojë për më pak gjumë, por se trupi e organizon ndryshe ciklin e pushimit. Nëse ky ndryshim shoqërohet me lodhje gjatë ditës apo pagjumësi, atëherë mund të jetë shenjë që kërkon vëmendje.