Temperaturat rekord godasin Francën, një viktimë dhe disa të shtruar në spital nga vala e të nxehtit
Franca po përballet me një valë të pazakontë të nxehti për muajin maj, ndërsa temperaturat ekstreme kanë shkaktuar viktimën e parë dhe kanë vënë në alarm autoritetet shëndetësore në disa rajone të vendit.
Sipas mediave të huaja, një person humbi jetën gjatë një gare vrapimi në Paris, ndërsa të paktën 10 persona të tjerë përfunduan në spital për shkak të problemeve të lidhura me temperaturat e larta, dehidratimin dhe lodhjen fizike.
Ngjarja ndodhi gjatë një aktiviteti sportiv në kryeqytetin francez, ku shërbimet e emergjencës ndërhynë menjëherë për të ndihmuar pjesëmarrësit që shfaqën shenja të rënda të goditjes nga nxehtësia.
Shërbimi meteorologjik francez, Météo-France, raportoi se temperaturat në Paris kanë kaluar 30 gradë Celsius për herë të parë këtë vit, duke arritur deri në 31.9°C, ndërsa në disa zona të tjera të Francës janë regjistruar rekorde historike për muajin maj.
Meteorologët e lidhin këtë situatë me fenomenin e njohur si “kupolë termike”, që po sjell masa shumë të nxehta ajri nga Afrika e Veriut drejt Evropës Perëndimore. Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat mund të arrijnë deri në 35 gradë Celsius gjatë ditëve në vijim.
Autoritetet franceze kanë vendosur në alarm disa rajone të vendit, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje të shmangin daljet gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje.
Ekspertët e klimës paralajmërojnë se valët e të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe intensive për shkak të ndryshimeve klimatike. Franca konsiderohet një nga vendet më të rrezikuara në Evropë nga temperaturat ekstreme, sidomos pas valëve vdekjeprurëse të nxehtit të viteve të fundit.
Burimi;https://worldathletics.org/athletics-better-world/news/report-athletes-researchers-warn-extreme-heat-paris-olympic-games
Foto; Freepik.com