Ingrit Gjoni ka folur mes emocionesh për humbjen e së motrës, e cila u nda nga jeta tre vite më parë si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.
E ftuar në emisionin “Live me Luizin”, këngëtarja tregoi se kjo humbje ia ka ndryshuar tërësisht jetën. Ajo kujtoi lidhjen e ngushtë mes tri motrave dhe vështirësinë për të folur për dhimbjen që vijon të përjetojë.
“E kam të vështirë të flas. Ne kemi qenë të treja si tre pika uji, por nuk i dalim dot vullnetit të Zotit”, u shpreh ajo.
Gjoni tregoi se ishte rikthyer në koncerte katër muaj pas humbjes dhe se mbështetja e publikut e kishte ndihmuar shumë gjatë asaj periudhe.
“Ishte një bombë e madhe. Vetëm kur të martoj djalin mund të arrij të çohem të marr një valle, e kam shpirtin në zi”, tha këngëtarja.
Teksa u përlot gjatë rrëfimit, artistja shtoi se kishte punuar me veten për ta përballuar këtë bisedë publikisht. Ajo e përshkroi të motrën si “një thesar për familjen tonë”.