Home Aktualitet Cila është gjuha më e vjetër në botë?
Cila është gjuha më e vjetër në botë?
0

Cila është gjuha më e vjetër në botë?

0
0

Pyetja është e thjeshtë, por përgjigjja e vështirë. Gjuha jeton duke u folur, por kur mungojnë dokumentet e shkruara dimë pak për origjinën e gjuhëve.

Njohuritë e grumbulluara mund të humbasin shpejt, për shembull për shkak të metodave të vjetëruara të regjistrimit, që nuk i përdor më sot askush. Informacioni në një disketë apo në një disk mbetet i padobishëm, kur mungojnë pajisjet përkatëse për t’i dëgjuar. Kësaj i shtohet edhe fakti që gjuha dhe shkrimi zhvillohen vazhdimisht, saqë edhe informacioni i një libri – që gjithsesi mund të hapet – bëhet i pakuptueshëm. Është gati e pamundur të arrish në informacione, që nuk janë të shkruara askund dhe të jenë ruajtur për pasardhësit.

Kush shkruan, mbetet

Prandaj është aq e vështirë, t’i përgjigjesh pyetjes, se cila është gjuha më e vjetër e botës. Gjuhët mund të transmetohen nga brezi në brez me shekuj, por bien në harresë, nëse nuk kanë lënë gjurmë me shkrim.

Vetëm gjuha e shkruar lë gjurmë që dokumentohen. Dhe vetëm kur është shkruar mbi një material, që i ka rezistuar kohës. Shkrimet mbi materiale organike, si për shembull lëvore, kryesisht kanë humbur, ndërsa tekstet mbi gurë ose argjilë ndonjëherë janë ruajtur për mijëra vjet. Nëse ne jemi sot në gjendje edhe t’i lexojmë dhe t’i kuptojmë, është diçka tjetër.

Dëshmitë më të vjetra të shkruara

Si dokumentet më të vjetra të gjuhës së shkruar cilësohen shkrimet kuneiforme, ku shenjat në formë pyke janë shtypur mbi pllaka të buta argjili. Shkrimet më të vjetra të njohura kuneiforme rrjedhin nga sumerët, që u zhvilluan prej shekullit të katërt p.e.s. në Mesopotani, në “territorin ndërmjet lumenjeve” Eufrat dhe Tigër (në Irakun e sotëm).

Tekstet datojnë nga periudha rreth vitit 3.200 p.e.s. Eposi i Gilgameshit është vepra më e njohur e gjuhës sumere. Gjuhët kuneiforme kanë qenë vendimtare edhe për zhvillimin e mëvonshëm të shkrimeve evropiane.

Pothuajse aq të vjetra janë edhe hieroglifet egjiptiane, që janë shkruar në varrin e faraonit Seth-Peribsen, 2775-2650 p.e.s duke u ruajtur kështu për pasardhësit. Fjalia e gjetur aty: “Ai ka bashkuar të dy vendet për djalin e tij, mbretin e dyfishtë Peribsen” konsiderohet nga ekspertët si fjalia më e hershme e shkruar plotësisht.

Shkrimi është ruajtur, por ne vetëm mund të imagjinojmë, se si kanë tingëlluar gjuhët më të vjetra të shkruara, sumerishtja, akadishtja dhe gjuha e Egjiptit të lashtë. Sepse të tria gjuhët janë zhdukur, ato nuk përdoren më dhe nuk kanë pasardhës të gjallë.

Linku: https://www.usatoday.com/story/news/2022/12/06/what-oldest-language-history/10673435002/

Foto:Freepik.com

tags: