Këngëtari Robert Berisha ka surprizuar publikun me deklaratat e tij të fundit lidhur me raportin me ish-bashkëshorten, Nora Istrefi, duke mos përjashtuar mundësinë e një rikthimi mes tyre në të ardhmen.
I ftuar në emisionin “Rudina”, artisti foli hapur për jetën personale dhe profesionale, ndërsa theksoi se ruan një marrëdhënie shumë të mirë me Norën, pavarësisht se prej vitesh janë të ndarë. Ai u shpreh se respekti mes tyre është i rëndësishëm, sidomos për vajzën e tyre, Renee.
I pyetur drejtpërdrejt për një ribashkim të mundshëm, Roberti nuk dha një përgjigje përfundimtare, por la gjithçka të hapur: “Nuk i dihet”, tha ai, duke nxitur reagime dhe shpresë tek fansat e çiftit.
Sa i përket jetës aktuale, këngëtari tregoi se është i fokusuar në karrierë dhe po punon për albumin e tij të parë pas 10 vitesh, i cili do të përmbajë 12 këngë të reja. Ai theksoi se aktualisht nuk është gati për një lidhje të re, duke shtuar se nuk dëshiron të lëndojë askënd.
Në intervistë u diskutua edhe për unazën që ai i kishte dhuruar Norës, e cila kishte tërhequr vëmendje në rrjet. Roberti sqaroi se bëhej fjalë vetëm për një gjest simbolik nga miqtë e tij, që më pas do të mbahej nga vajza e tyre.
“ Nëse bashkohemi, bashkohemi, por për unazë nuk ka nevojë”, u shpreh ai.
Robert Berisha dhe Nora Istrefi i dhanë fund martesës së tyre në vitin 2019, pas rreth një dekade së bashku, ndërsa vazhdojnë të bashkëpunojnë për rritjen e vajzës së tyre 11-vjeçare, Renee.