Ish-banori i “Big Brother VIP Albania 5”, Stenaldo Mëhilli, ka lënë të hapur mundësinë e një angazhimi në politikë në të ardhmen.
Gjatë një interviste në emisionin “Pushime On Top”, këngëtari u pyet nga moderatorja Lei Kraja nëse e sheh veten pjesë të politikës, duke qenë se edhe gjatë qëndrimit në BBV kishte shprehur interes për këtë fushë.
Stenaldo u shpreh se Shqipëria ka nevojë për liderë që nuk e shohin pushtetin si qëllim në vetvete, por si një përgjegjësi ndaj qytetarëve.
“Unë mendoj që ne kemi nevojë për liderë që nuk u shkon pushteti. Politika nuk është e bukur, është përgjegjësi. Dëshiroj të jap nga vetja dhe besoj se përfaqësimi i shqiptarëve do të ishte një mënyrë për ta bërë këtë”, ka thënë ai.
Më tej, Mëhilli theksoi se vendit i duhen njerëz cilësorë, të cilët në detyra të rëndësishme vendosin qytetarët përpara interesave personale.
Në fund, ish-banori i BBV-së pranoi se e konsideron seriozisht një përfshirje të mundshme në politikë, pasi beson se ka diçka për të dhënë në këtë drejtim.