Ronela Hajati reagon ndaj gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale: “Të vjen turp t’i lexosh”
Këngëtarja e njohur shqiptare, Ronela Hajati, ka reaguar ndaj komenteve negative dhe gjuhës së urrejtjes që, sipas saj, janë gjithnjë e më të pranishme në rrjetet sociale.
Përmes një postimi në InstaStory, artistja ka shprehur zhgënjimin e saj për mënyrën se si shumë përdorues komunikojnë në hapësirën virtuale. Ajo është ndalur te fjalori fyes dhe sulmet që shpesh drejtohen ndaj personazheve publike, duke theksuar se një sjellje e tillë i duket shqetësuese.
“Përfundimisht grada e nivelit të komenteve në përgjithësi në rrjete sociale është ZH… Të vjen turp t’i lexosh, jo më t’i shkruash! Burra dhe gra në moshë, njerëz me familje, një fjalor dhe një mendje e prishur”, ka shkruar Ronela.
Më tej, këngëtarja ka theksuar se i shkakton neveri përmbajtja e shumë komenteve që sheh në rrjete sociale, duke lënë të kuptohet se klima e mllefit dhe fyerjeve ka kaluar çdo kufi.
Në fund të reagimit të saj, Ronela iu drejtua drejtpërdrejt personave që sulmojnë të tjerët në internet, duke i nxitur të përdorin kohën dhe energjinë e tyre për çështje më të dobishme.
“Të shfrytëzonit gjithë këtë kohë që merreni me këtë mllef, për të rregulluar punët tuaja, më mirë do ishte ky popull”, përfundoi artistja.
Reagimi i Ronela Hajatit ka nxitur diskutime mes ndjekësve, duke sjellë sërish në vëmendje debatin për gjuhën e urrejtjes, bullizmin online dhe kulturën e komunikimit në rrjetet sociale.