Macklemore nis turneun “Free Palestine” në Dublin, flet për largimin nga koncertet e Ed Sheeran
Macklemore nis turneun “Free Palestine” në Dublin, flet për largimin nga koncertet e Ed Sheeran
Reperi amerikan Macklemore ka nisur në Dublin turneun “Free Palestine”, gjatë të cilit të ardhurat do të shkojnë për organizata që mbështesin popullin palestinez. Koncerti vjen pas polemikave për largimin e tij nga turneu i Ed Sheeran.
Rreth 13 mijë persona morën pjesë në koncertin e zhvilluar në 3Arena. Në skenë, Macklemore iu bashkuan Hozier, grupet Kneecap dhe Beoga, si dhe këngëtarja palestineze Lina Makoul. Përmes një videomesazhi, aktori Mark Ruffalo bëri thirrje për mbështetjen e palestinezëve.
Gjatë mbrëmjes, reperi iu rikthye deklaratave në mbështetje të Palestinës, të bëra në koncertet e 5 dhe 6 shtatorit në Nju Xhersi, të cilat, sipas tij, çuan në largimin nga turneu i Sheeran.
Ai tha se gjithçka kishte nisur me thirrjen “Palestinë e lirë”, duke theksuar se mesazhi i tij shprehte kërkesën për liri, dinjitet dhe një jetë pa frikë.
Macklemore u shpreh se turneu synon të krijojë një hapësirë ku njerëzit të bashkojnë zërat në mbështetje të palestinezëve dhe të ndajnë dhimbjen e tyre. Sipas tij, të gjitha të ardhurat nga koncertet do t’u dhurohen organizatave që ndihmojnë popullin palestinez.
Reperi pretendoi gjithashtu se pronari i New England Patriots, Robert Kraft, kishte ushtruar presion mbi Sheeran për ta larguar nga turneu për shkak të qëndrimeve të tij.
Sheeran, nga ana e tij, ka deklaruar se vendimi ishte marrë nga organizatori i turneut. Këngëtari britanik tha se kishte tentuar të ndërmjetësonte për të mundësuar komunikimin mes palëve.
Pas Dublinit, turneu “Free Palestine” pritet të vijojë të enjten në Paris dhe të premten në Londër.