Hannah Murray rrëfen krizën psikotike: Si përfundoi aktorja e “Game of Thrones” me diagnozën bipolar
Aktorja britanike Hannah Murray, e njohur për rolin e Gilly-t në serialin e famshëm “Game of Thrones”, ka folur hapur për një nga periudhat më të errëta të jetës së saj, duke zbuluar se përjetoi një krizë të rëndë psikotike përpara se të diagnostikohej me çrregullim bipolar.
Në një intervistë për median britanike The Times, Murray tregoi se gjithçka nisi gjatë xhirimeve të filmit “Detroit” në vitin 2017, kur u njoh me një person që prezantohej si “shërues energjie”. Fillimisht, ajo mendoi se praktikat shpirtërore do ta ndihmonin të gjente qetësi emocionale, por me kalimin e kohës u përfshi gjithnjë e më shumë në rituale dhe kurse të kushtueshme që premtonin “shërim energjetik”.
Aktorja rrëfeu se besimi ndaj njerëzve të grupit bëri që të mos vinte në dyshim ndikimin psikologjik që po kishin tek ajo. Sipas saj, situata agravoi deri në momentin kur filloi të përjetonte mendime maniake dhe humbi kontaktin me realitetin.
Murray kujton se gjatë një aktiviteti në Londër përjetoi një krizë të fortë psikologjike, ku besonte se kishte një “mision të jashtëzakonshëm” dhe se mund të ndryshonte botën. Ajo shtoi se reagimet e anëtarëve të grupit ndaj gjendjes së saj, përfshirë ritualet dhe mënyrën si e trajtuan, sot i konsideron tepër shqetësuese.
Përmes librit të saj autobiografik, aktorja synon të ndërgjegjësojë publikun se askush nuk është imun ndaj manipulimit psikologjik dhe se problemet e shëndetit mendor mund të prekin këdo, pavarësisht famës apo statusit social.
Burimi;
https://www.thetimes.co.uk/
Foto;https://www.instagram.com/hannah__murray/?hl=en