Pas suksesit të jashtëzakonshëm të albumit të saj më të fundit, “The Life of a Showgirl”, superylli botëror Taylor Swift ka surprizuar fansat me një projekt të ri të rëndësishëm në bashkëpunim me Disney dhe Pixar.
Artistja fituese e 14 çmimeve GRAMMY ka njoftuar publikimin e një kënge origjinale me titull “I Knew It, I Knew You”, e cila do të jetë pjesë e kolonës zanore të filmit shumë të pritur “Toy Story 5”, që pritet të dalë në kinema më 19 qershor.
Kënga është shkruar dhe prodhuar nga Taylor Swift në bashkëpunim me producentin e njohur Jack Antonoff dhe do të publikohet në të gjitha platformat muzikore më 5 qershor.
Përveç publikimit digjital, në faqen zyrtare të këngëtares kanë nisur edhe para-porositjet për tre edicione ekskluzive në CD, të cilat do të përfshijnë versionin origjinal të këngës nga filmi, një interpretim akustik dhe një version special në piano, secili me elemente të veçanta vokale dhe produksioni.
Sipas detajeve të publikuara, kënga është frymëzuar nga rrugëtimi i personazhit të dashur Jessie, cowgirl-it të njohur të sagës “Toy Story”. Projekti shënon gjithashtu një rikthim të Taylor Swift te tingujt country, duke ndërthurur stilin që e bëri të famshme me elemente moderne që kanë karakterizuar karrierën e saj ndër vite.
Regjisori dhe skenaristi i filmit, Andrew Stanton, ka vlerësuar lart kontributin e këngëtares në këtë projekt.
“Është e pabesueshme sa domethënëse ka qenë që Taylor ta shkruajë dhe ta interpretojë këtë këngë. Lidhja e saj me Jessie-n dhe mënyra e menjëhershme me të cilën e kuptoi atë që po përjetonte personazhi ishin të pamohueshme”, është shprehur Stanton.
Ai shtoi se kënga përshtatet në mënyrë të përkryer me universin e “Toy Story”, duke krijuar ndjesinë sikur ka qenë gjithmonë pjesë e historisë së filmit.
Lajmi ka ngjallur entuziazëm të madh mes fansave të Taylor Swift dhe adhuruesve të sagës së famshme të Pixar, të cilët mezi presin të dëgjojnë këngën dhe të shohin filmin në ekranin e madh.
Burimi;https://www.instagram.com/taylorswift/
Foto; https://www.instagram.com/taylorswift/