Shtyhet përtej 3 prillit afati i masave shtrënguese, ja deri kur do të jenë në fuqi
Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që të shtyjë përtej 3 prillit masat kufizuese lidhur me situatën e krijuar në vend prej COVID-19.
Deri tani ishte vendosur që masat të zbatoheshin deri në 3 prill, ndërsa tashmë duket se gjithçka do të shtyhet deri në përfundim të epidemisë së Coronavirus.
Me këtë urdhër të ri do të thotë që të gjitha aktivitetet publike dhe jo publike si dhe grumbullimet masive nuk do të lejohen deri në përfundim të epidemisë.
Sipas urdhërit të ri edhe institucionet arsimore do të vijojnë mësimin online, pasi nuk do të jetë 3 prilli dita e rinisjes së procesit mësimor.
Gjithashtu klinikat dentare do të qëndrojnë të mbyllura, kurse spitalet publike dhe jopublike nuk do të kryejnë operacione kirurgjikale.
E njëjta gjë vlen edhe për subjektet apo kategoritë që u prekën nga urdhëri i 8 marsit siç janë bizneset e vogla e të mëdha me disa përjashtime, si dhe baret e restorantet, të cilat do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura deri në përfundim të epidemisë.
Link: https://www.facebook.com/OgertaManastirliu/
Burimi i fotos: https://shendetesia.gov.al/